Rajoni planor i Pollogut shtrihet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut, me një sipërfaqe prej 2,416 km2. Ajo përfshin luginën e Pollogut, rrafshlartën e Mavrovës, masivin malor Bistra dhe luginën e lumit Radika.

Në nivel shtetëror, rajoni i Pollogut është një nga tetë rajonet, i cili përbëhet nga nëntë komunat e mëposhtme: Tetovë, Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë, Zhelinë, Tearcë, Bogovinë, Vrapçisht, Jegunovcë dhe Brvenicë. Në këtë territor ka 184 vendbanime në të cilat jetojnë 304,125 banorë. Nga 304,125 qytetarë, 18,4% janë maqedonas, 73,2% shqipëtarë, 5,7% turq, 1,6% romë, 0,01% vllehë, 0,32% serbë, boshnjakë 0,08% dhe 0,66% janë kombësi të tjera.

Burime natyrore

Rajoni ka pasuri të madhe natyrore dhe artificiale. Rajoni planor i Pollogut është i pasur me burime minerale që gjenden në të gjithë territorin e tij. Me rëndësi të madhe ekonomike janë depozitat e xeheve të mermerit gri në Gostivar dhe dolomitet në Jegunovcë dhe Çajle. Xehe dhe minerale të tjera të pranishme në rajon janë: mangani, molibdeni, bakri, arseniku, plumbi, kromi dhe mermeri.

Rajoni planor i Pollogut ka 170,310 ha tokë bujqësore, nga të cilat 41,876 ha janë tokë e punueshme dhe 128,433 ha janë kullota. Nga gjithësejt toka e punueshme, 30,565 ha janë toka të lëvruara dhe kopshte, 10,244 ha janë livadhe, 1,023 ha janë pemishte dhe vetëm 44 ha janë vreshta. Pjesa më e madhe e sipërfaqes bujqësore deri më 75 përqind në rajonin planor të Pollogut janë kullota, 25 përqind e mbetur është tokë e punueshme. Rajoni nuk mundëson zhvillim intensiv të prodhimit bujqësor, por është i njohur për produktet e tilla si molla e Tetovës, fasulja e Tetovës, djathi dhe kashkavalli, të cilat hapin një perspektivë për kultivimin dhe promovimin e produkteve me të cilët do të ishte rritur eksporti.

Turizmi

Rajoni planor i Pollogut është një margaritar turistik që i ka të shumta bukuritë natyrore, monumentet historike dhe kulturore. Turizmi si degë ekonomike nuk është i zhvilluar mjaftueshëm në rajonin planor të Pollogut, por ka një numër të madh të potencialit të pashfrytëzuar të cilët paraqesin mundësi investimi, ndërsa me shfrytëzimin e tyre ta bëjnë rajonin një nga destinacionet më të mëdha turistike si në vend ashtu edhe në Europë. Qendrat ekzistuese të skive “Mavrova” dhe “Kodra e Diellit” ofrojnë mundësi për të përmirësuar zhvillimin e turizmit të skijimit dhe mundësinë për të promovuar dhe vizituar bukuritë e tjera natyrore që i posedon ky rajon.

Karakteristikat ekonomike

Tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave është sektori i veprimtarisë që është i përfaqësuar më së shumti në rajonin planor të Pollogut, me gjithësej 1,611 subjekte të regjistruara biznesi dhe 22 përqind të pjesëmarrjes në ekonominë e përgjithshme. Sektori i dytë është industria përpunuese me gjithsej 905 subjekte të regjistruara biznesi dhe 12.4 përqind të pjesëmarrjes ekonomike dhe ndërtimin si sektor me 651 subjekte afariste dhe 8.9 përqind pjesëmarrje. Me këto të dhëna zgjidhen sektorët më të rëndësishëm ekonomikë, siç janë prodhimi i materialeve të ndërtimit, përpunimi dhe prodhimi i produkteve finale të drurit, industria ushqimore, përpunimi i plastikës, përpunimi i aluminit dhe prodhimi i produkteve të tekstilit.