RDC Polog

Komunat e rajonit

Tetova

Vështrimi historik

Shkrimet e para për ekzistimin e Tetovës si vendbanim, datojnë nga periudha antike, me emrin antik EUNEUM. Sipas disa të dhënave me të cilat disponon komuna e Tetovës, fusha e Pollogut dikur ka qenë liqen. Këto të dhëna mbështeten në gjurmët e zbuluara në Balltepe (Kodra e Mjaltit), ku gjendet rrafshnalta me shkëmbinj të liqenit me lartësi mbidetare prej 770 m. Sipas të dhënave turke të dokumentuara, Tetova në shek. XIV është trajtuar si fshat në Fushën e Pollogut. Në shek. e XV Tetova përmendet si qendër në vendin e Vakëfit të Mehmet Beut, ku thuhet se në Tetovë ka pasur shumë dyqane dhe punëtori, si dhe janë ndërtuar lagje të reja. Sipas Mehmed Beqir Çelebiut gjatë vitit 1470 Tetova fillon t’i ngjaj qytetit. Me ardhjen e turqve në këtë rajon Tetova gjithnjë e më tepër është zhvilluar.

Në ndërkohë, gjatë kësaj periudhe realizohen ndërtimet e objekteve kulturore-historike, siç janë:

  • Xhamia e Pashës (e Larme)
  • Arabati Baba-Teqe
  • Tempulli (faltorja) ortodokse, “Shën Kirili e Metodi”
  • Hamami i vjetër
  • Kalaja e Tetovës
  • Ura e gurit në lumin Shkumbin (Artat)
  • Xhamia dhe Kisha të tjera
  •  

Pozita gjeografike

Në mesin e fushës së Pollogut rrëzë malit të Sharrit, në rrjedhën e lumit Shkumbin (Artat) shtrihet komuna e Tetovës me rreth 86.560 banorë. Rajoni i Tetovës shtrihet në sipërfaqe prej 1.080km2. Pozita gjeostrategjike e Tetovës karakterizohet nga ajo se gjendet në udhëkryqin e korridoreve nërkombëtare qarkulluese, siç janë: korridori 8 (që kalon nëpër Tetovë) dhe korridori 10 (40 km. larg nga Tetova).

 

Kultura

Pozita e mirë gjeostrategjike, të ndodhurit në udhëkryq dhe toka pjellore e bën Tetovën të ua tërheq vëmendjen pushtuesëve të ndryshëm. Në shekullin e XV këtë qytet e pushtojnë turqit. Me ardhjen e turqëve u zhvillua kultura. Vatër e saj bëhet kompleksi i Teqes Bekteshiane-ARABATI (Teqe) 1538–1548 e ndërtuar nga ana e Sersem Ali Dedes.

Për t’u përmendur është edhe Kalaja e Tetovës, që ndodhet në maje të Baltepes, menjëherë mbi Tetovë. U ndërtua më 1820 nga ana e Abdurahman Pashës. Ky objekt kulture paraqet një bukuri të rallë të kohës së kaluar.

Përbërja e Kalas është kompleks (pjesa e brendëshme ka pesë saraje, kuzhina të mëdha, banja, një pus në mes dhe tri tunele për dalje). Gjatë luftërave pësoi rënime të shumta.

Me 1933 afër vendit te quajtur Çeshma e Balezës, është gjetur statuja e valltares prej bronzi nga periudha Ilire, shekulli VI para erës se re dhe është zbulimi me i vjetër arkeologjik i gjetur ne trevën e Tetovës. Statuja është me dimensione 9 cm e gjatë dhe 4 cm e gjërë. Kjo statu gjendet në muzeun nacional të Shkupit.

Xhamia e Larme në Tetovë, e cila në popull njihet si Xhamia e Pashës, gjendet pranë lumit Shkumbin në pjesën e vjetër te qytetit, ku gjenden edhe objektet tjera të arkitekturës fetare islame dhe civile, të rëndësishme për vlerat estetiko-artistike dhe për vulën historike që mbajnë. Xhamia është ndërtuar më 1495 kurse rindërtuar nga themeli dhe e zgjeruar më 1833 nga ana e Abdurrahman Pashës, biri i Rexhep Pashës, që janë mbrojtësit e Tetovës dhe të cilët kanë qenë edhe dashamirë të mëdhenj të artit.
Të gjitha këto të dhëna i kuptojmë nga mbishkrimi i ruajtur mbi hyrjen në xhami si dhe nga nishani i varrit i cili ruhet në turben e ndërtuar në oborin e xhamisë. Këta pashallarë të njohur kanë vepruar në Tetovë në gjysmën e parë të shekullit XIX. Po ashtu këto kanë ndërtuar dhe rindërtuar kalanë e qytetit dhe Arabati Baba Teqen. Në turben tetëanësore janë varrosur zonjat Hurshide dhe Mensure. E para ka vdekur më 1534. Për to supozohet se kanë qenë donatorë të xhamisë së mëparshme nga shekulli XV. Në afërsi të xhamisë gjendet edhe shadërvani, i cili ka pasur funksion të dyfishtë: për të marrë abdes para namazit dhe si çeshme për nevojat e popullatës së këtushme.

Me karakteristikat e veta arkitektonike ,tipologjike dhe stilistike fiton një vlerë të veçantë që manifestohet me një organizim të pastër dhe të qartë hapsinorë. Hamami në bazament është objekt kënddrejtë, ndërtuar me mure masive nga gurë të përpunuar, të vrazhdë dhe tulla. Si konstruksione kulmore janë shfrytëzuar qemerë–kube me dimenzione të ndryshme, me çka është formuar fasada e pestë e larmishme që i jep një joshje objektit. Kupolat janë ngritur me tambura tetëkëndëshe, të mbuluara me qeramide turke dhe streha të shkurtëra të profilizuara nga guri.
Kisha Shën Kiril dhe Metodij gjendet në pjesën e vjetër të Tetovës dhe është njër ndër kishat më të bukura hristijane jo vetëm në rajonin e Pollogut por edhe më gjërë. Filloi të ndërtohet gjatë periudhës së Ilindenit gjegjësisht gjatë vitit 1903 dhe mbaron me 12 Qershor 1925.
Inicijator i ndërtimit ka qenë prota Mihail Martinovski. Në qytetin e Tetovës ekzistojnë edhe kisha tjera siç janë: Shën Nikola, Shën Bogorodica dhe Shën Dimitrij.

 

Arsimi

Në komunën e Tetovës janë sistemuar 12 shkolla fillore qendrore, 9 shkolla fillore territoriale, një shkollë fillore shtetrore e muzikës dhe gjashtë shkolla të mesme. Shkollat e mesme janë të profileve të ndryshme, siç janë: gjimnazi, mjekësia, ekonomia, bujqësia, tekstili dhe muzika. Në Tetovë poashtu funksionojnë dy universitete:Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore.

 

Turizmi

Rrethina e Tetovës me bukuritë e saja natyrore me monumentet kulturore-historike, gradualisht afirmohet si qendër turistike atraktive në Maqedoni.

Vend kryesor në këtë sferë zë qendra turistike “Kodra e Diellit” me bukuritë e Malit Sharr në kuadër të masivit malor, lartësisë më relative. Stina e dimrit e zbukuron këtë qendër rekreative e sportive tejet të bukur. Qendra “Kodra e Diellit” shtrihet në lartësinë mbidetare prej 1780m dhe është në largësi prej 18km nga Tetova, 48km nga Kodra e Diellit deri në Shkup (70km nga aeroporti i Shkupit). Deri në qendër arrihet përmes rugës së asfaltuar dhe nëpërmjet teleferikut në gjatësi prej 7 km mundet të arrihet për 40min. me një ndryshim lartësie prej 1400m.

Kodra e Diellit disponon me ski-ashensorë me gjatesi të pergjithshme prej 7.7 km te cilat lidhin stazat per skijim në lartesitë prej 1070 deri 2510 m. Gjatesia e përgjithshme e stazave për skijim është 20 km prej të cilave 3 anë janë sipas FIS kritereve.

Gjithashtu viteve të fundit organizohet edhe manifestimi “Beka Kup”, në të cilin talentet e rinj i dëshmojnë aftësitë e tyre në skijim. Akomodimi i turistëve bëhet në kapacitetet hoteliere të qytetit dhe vendeve turistike, në 2 hotele, 10 motele si dhe në vikend shtëpiza. Lagjja e vikend shtëpizave ka rreth 400 objekte. Po ashtu Mali Sharr me pasuritë pyjore, kafshët e egra dhe objektet turistike përreth, mundëson zhvillimin e turizmit për gjuetarët e pasionuar.

Liqene më të mëdha janë:

  • Liqeni i Bardhë
  • Liqeni i zi dhe
  • Liqeni i Bogovinës

Në periudhën verore vendi më atraktiv është maja e Lubotenit, ku gjendet edhe shtëpia e malorëve “Luboten” dhe disa objekte të vogla për pushim e rekreacion.

Rrëzë majës së Lubotenit shtrihet edhe liqeni i bukur i Livadhisë, në një lartësi mbidetare prej 2200m dhe një thellësi mesatare prej 7 m.

Një vend potencial për rekreacion është edhe Banja Hisar e njohur si Banjishtë, ku ka disa burime të ujit mineral. Uji i këtyre burimeve derdhet në lumin Pena (Shkumbin). Ky ujë ka veti shëruese, prandaj banorët e Tetovës e konsumojnë atë dhe bëjnë banja në pishinat e improvizuara.

 

Ekonomia

Ekonomia në territorin e komunës së Tetovës viteve të fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme. Si veprimtari më të zhvilluara dhe njëherit shtylla të industrisë tetovare janë: industria e përpunimit të drurit, ndërtimtaria dhe materialet ndërtimore, bujqësia, industria e tekstilit etj. Gjithashtu, rritja e vazhdueshme e ekonomisë mund të vërehet edhe nga rritja permanente e numrit të subjekteve ekonomike që veprojnë në rajonin e Tetovës. Prej tyre 98% u takojnë ndërmarrjeve të vogla e të mesme, kurse vetëm 2% ndërmarrjeve të mëdha. Sipas të dhënave të Regjistrit Qendror Shtetëror-Dhjetor 2005 në komunën e Tetovës janë të regjistruara gjithsejt 6874 subjekte afariste.


Subjektet afariste që gjatë dekadës së fundit kanë dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e ekonomisë në rajonin e Tetovës, janë të sektorëve si vijon: industria e drurit (mobiliet), ndërtimtaria, industria ushqimore dhe industria e tekstilit. Sektorët në fjalë me kapacitetet e tyre dhe teknologjinë që kanë, janë bërë konkurruese jo vetëm në tregun e Republikës së Maqedonisë por edhe më gjerë. Disa ndërmarrje për prodhimin e mobilieve për amvisëri dhe mobilieve për zyra posedojnë teknologji kulminante CNC dhe kanë potencial për qasje në tregjet ndërkombëtare.


Ndërtimtaria sidomos në 6 vitet e kaluara, ka marrë një hov të vrullshëm edhe në rajonin e Tetovës, ku janë realizuar një numër i madh ndërtimesh cilësore, banesore-afariste. Vlen të theksohet se të gjitha këto ndërtime të reja realizohen nga ndërmarrjet private, pra me investime private dhe me kapacitete tekniko-teknologjike.


Në komunën e Tetovës industria ushqimore gjithashtu ka kapacitetet dhe potenciale e saja. Me cilësinë që kanë prodhimet e qumështoreve të komunës së Tetovës, tash më janë konkurrente në tregun e përgjithshëm të qumështit dhe prodhimeve qumështore. Ndërmarrjet që prodhojnë qumësht dhe prodhime qumështore i mbulojnë nevojat e konsumatorëve të komunës së Tetovës dhe më gjërë.


Industria e tekstilit gjithashtu ka një traditë të gjatë në Komunën e Tetovës, për të cilën më së tepërmi meritë ka Kombinati i Tekstilit “Teteks” e cila vazhdon me formimin e ndërmarrjeve private të tekstilit. Momentalisht firmat më dominuese që punojnë sipas sistemit të ashtuquajtur LON, prodhojnë (punojnë) për partnerët e jashtëm.


Rëndësia e ndërmarrjeve të katër sektorëve të përmendur më sipër është e madhe, jo vetëm për shkaqe të përfaqësimit të tyre në numrin e përgjithshëm të subjekteve afariste në komunën e Tetovës, por edhe për shkak të potencialit me të cilin disponojnë për shtrirje në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

 

Bujqësia

Kushtet e volitshme klimatike si dhe relievi në rajonin e Pollogut, bëjnë të mundur krijimin e kushteve optimale për zhvillimin e bujqësisë në komunën e Tetovës. Si rezultat i kushteve të mira klimatike dhe cilësisë së kores së tokës, kulturat bujqësore që kultivohen në këtë rajon janë me shije dhe cilësi të veçantë. Vlen të përmendet vetëm fasulja e Tetovës, molla e Tetovës, domatet, specat, qepët dhe të tjera, sipas të cilave është i njohur rajoni i Tetovës si në vend ashtu edhe jashtë tij.