RDC Polog

Komunat e rajonit

Gostivari

Vështrimi historik

Rreth Gostivarit dhe për Gostivarin janë thurrur shumë legjenda me versione të ndryshme bazuar nga pushtuesit e periudhave të ndryshme. Sipas dokumentit të vetëm nga epoka antike tek historiani Tit Livi (59 p.e.s – 17p. e.s) thuhet se mbreti i fundit i Maqedonisë Pasai (179 – 163) me 10.000 ushtarë pas pushtimit të Uskanës (Kërcovës) pushton qytezën Draudak që më pas të pushtohej Oneji (Tetova). Nga këto të dhëna mund të kuptohet se qyteti i vjetër Draudak i cili ka pasur rëndësi të madhe, është gjindur në mes të Kërcovës dhe Tetovës, d.m.th. Gostivari i tanishëm.

Sipas një legjende emri i tashëm i qytetit është emëruar në kohën e sundimtarit Vukashin edhe atë GOSTI – mysafir. Meqë ka pasur një numër të madh të vizitorëve, miqve nëpër këto vise edhe gjatë periudhës së sundimit të turqve në turqishte vendin e kanë thirur “GOSTIVAR” (miq ka). Vetë emri Gostivar quhej vend i tubimit të miqve “Qyteti i miqve”.

Në vitin 1850 gjeologu dhe balkanologu Ami Beu në përshkrimet për Tetovën në mes tjerave në një pjesë thotë se në Pollog gjendet “fshati i madh” Gostivari, ndërsa si qytet Gostivari për herë të parë është përmendur në dy shkrimet e shekullit XIX.

Sipas tyre ky vendbanim i Pollogut ka formuar çarshinë e vet (qendrën) kurse e marta ka qenë ditë tregu. Në vitin 1874 qyteti ka pasur 400 shtëpi, rreth 2000 banorë, ndërsa në fund të shekullit të njëjtë ka pas 3500 banorë. Bazuar në shkrimet e Abdylhaqim Doganit, Gostivari merr emrin nga vajza e ardhur nga Tivari që për venbanim ka zgjedhur këtë qytet. Në gjuhën lokale vajza është gocë edhe atë nga Tivari, prandaj del emri Gostivar (rrjedh nga goca e Tivarit).

Qytetet me ekzistencë të hershme kanë tradita, histori, kulturë, shenja nga lashtësia, gjë që bën gjurmët e tyre të duken qartë edhe në ditët tona. Pikërisht qyteti i Gostivarit është i shenjëzuar nga “Kulla e Sahatit” e cila qëndron si dëshmitare memece e ndodhive të këtushme prej vitit 1566 e deri më sot. Kulla në pjesën më të madhe i ka ruajtur veçoritë e ndërtimit dhe nuk është rastësisht përmendore e kulturës.

 

Pozita gjeografike

Natyra mahnitëse, toka, pozita e volitshme gjeografike, mbi 500m lartësi mbidetare, me gurgullimën e burimit të lumit Vardar, aty në perëndim të Maqedonisë, i rrethuar nga dy fortesa, Sharri dhe Mali i Thatë, dhe me shumë karakteristika të tjera, shtrihet i qetë me banorët e tij qyteti i shumë ngjarjeve dhe personliteteve, Gostivari. Për të soditur për së afërmi panoramën e mrekullueshme të qytetit të Gostivarit apo nga Prishtina, Shkupi, nga Tetova për në Gostivar, shfrytëzohen autostrada moderne që shkelin nëpër fushën e gjerë të Pollogut. Përndryshe të gjitha komunikacionet, rrugore apo hekurudhore, mundësojnë qarkullim të shpejtë.

Në njëqind kilometra në jug ndodhet aeroporti në Ohër dhe rreth nëntëdhjetë kilometra larg aeroporti në Shkup. Gostivari është komunë e cila kap sipërfaqe prej rreth 650 kilometra katrorë. Qyteti paraqet mjedis administrativ, politik, kulturor dhe biznesor për më tepër se tetëdhjetë mijë banorë, prej të cilëve në vetë bërthamën e qytetit jetojnë rreth 36 mijë banorë. Gostivari ndër të tjerat është edhe mjedis tipik multikulturor. Në të jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, romë e të tjerë. Qytet i cili paraqet me të vërtetë vend të bukur jetese, duke ofruar klimë të këndshme në të gjitha stinët e vitit, vendpozitë e mrekullueshme, komuni-kacion të rregulluar, kushte për biznes, shkollim dhe të tjera.

Lumi më i gjat në R. Maqedonisë, Vardari buron pesë kilometra në perendim të qytetit të Gostivarit. Në vete i grumbullon lumejntë dhe prockat më të vogla në rrugën e gjatë deri në Detin Egje. Duke kaluar vërtet nëpër vise atraktive, Vardari dhe degët e tija, kalimtarit të rastit i ofron kënaqësi të vërtetë që e ka krijuar natyra dhe adhuruesve të peshkatarisë një përjetim që mbahet mend.

 

Arsimi

Në Komunën e Gostivarit ekzistojnë një çerdhe fëmijësh e cila është e ndarë në dy njësi punuese edhe atë: ,,Pranvera’’ dhe ,,Lulet’’, 10 shkolla fillore qendrore, 20 shkolla periferike, 3 shkolla të mesme, një kolexh, dhe 3 Universitete (Universiteti shtetërore i Tetovës, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës dhe Universiteti privat FON). Vlen të cekët edhe Universiteti i Punëtorëve i cili kryen aktivitete për nevojat e qytetarëve në këtë komunë dhe më gjërë.

 

Turizmi

Gjallërinë në qytet e jep jeta kulturore. Nën patronazh të rinisë Gostivarase në qytet funksionojnë disa SHKA të cilë aktivitetin e tyre e shpalosin qoftë në Shtëpinë e Kulturës, qoftë në ambient të hapur. Specifike për komunën është ajo se komuna e Gostivarit ka një pozitë shumë të përshtaçme për adhuruesit e ujit apo maleve. Kjo ndodh nga arsyeja se Komuna e Gostivarit ka një largësi diku 25km nga liqeni i Mavrovës dhe jo më shum se 15km nga fshatrat malorë të cilat me bukurinë, historitë dhe mikpritja nga vetëfshatarët të bën të kalosh çaste të paharuara.